Nga YLLI AGA
Në mbledhjen e zakonshme para ndeshjes Islandë-Shqipëri u zhvillua pak a shumë edhe ky dialog mes delegatit të ndeshjes dhe përfaqësuesit të policisë:
-Cilat janë masat e marra për mbarëvajtjen e takimit dhe sa është numri i forcave të angazhuara për këtë detyrë?
-Kjo është ndeshje që ka marrë vlerësimin tonë më maksimal dhe numri i policëve të angazhuar këtë mbrëmje do të jetë 14, – iu përgjigj në mënyrë të shpejtë dhe të thatë përfaqësuesi i policisë.
-14? – pyeti me dyshim delegati.
-Po, 14. Zakonisht numri i policëve në stadium është 4, por meqë nga kërkesa e sjellë nga drejtuesit e federatës parashikohej të kishte interesim të lartë, kemi sjellë edhe 10 policë më shumë, – argumentoi prerë dhe ftohtë përfaqësuesi i forcave të rendit në Rejkjavik…
Për shumëkënd, një bisedë e tillë ngjan me një anekdotë apo pa asnjë pikë takimi mes mentalitetit të “akullnajorëve” islandezë dhe “sanguinëve” shqiptarë, në kulmin e polemikave për rolin e forcave të sigurisë në mbarëvajtjen e një ndeshjeje në vendin tonë, ku numërohen me gishtat e njërës dorë takimet që kalojnë pa incidente nga më të ndryshmet dhe roli i ruajtësve të rendit është inekzistent. Një nga elementët që kujtoj nga ndjekja e ndeshjeve në stadium para viteve ’90 ishte një panoramë e rëndomtë, ku policët në detyrë qëndronin si statuja me shpinë nga fusha e lojës, duke monitoruar sjelljen e tifozëve dhe janë jo të pakta raste, kur “problematikët” jo vetëm përfundonin jashtë, por në jo pak raste “shpërnguleshin” në skajet më të largëta të kryeqytetit. Duke lënë mënjanë politizimin e kohës dhe dhunën e ekzagjeruar nga forcat e rendit jo në pak raste, ajo që vlen të nënvizohet është roli diametralisht i kundërt dhe krejtësisht i pafrytshëm i policisë sot. Për të mos u krahasuar me “ufo”-t e Islandës, është e patolerueshme që asnjë sektor i stadiumeve tona nuk është i sigurt. “Kalaja” e fundit e rrëzuar është edhe tribuna VIP, me dhunimin e presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj. Në këto kushte, nevojitet një model i ri bashkëpunimi për të evituar, parandaluar ose më së paku ndëshkim shembullor për tifozët e çmendur, si dhe policët sehirxhinj. Në startin e sezonit të ri, një lajm që ka kaluar pa shumë vëmendje është ai i disa drejtorive të policisë në rrethe për të mos garantuar sigurinë në shumicën e stadiumeve tona, për shkak se shumë klube nuk kanë përmbushur as detyrat më minimale për rritjen e sigurisë në këto impiante. Megjithatë, në asnjë prej stadiumeve të vendosura në shënjestër nuk është ndaluar zhvillimi i ndeshjeve (sigurisht, ndikuar edhe nga ndërhyrjet apo telefonatat pa pushim të ardhura nga lart e nga poshtë për të mos respektuar vendimin e marrë institucionalisht). Për fat, stadiumi “Flamurtari” nuk ishte në listën e zezë të policisë, pavarësisht se mbetet një nga më të “nxehtit” në vendin tonë. Në testin e parë serioz për këtë sezon të ri dështimi ishte spektakolar, pasi forcat e rendit, pavarësisht se numerikisht mund të ishin 10 herë më shumë se ndeshja e luajtur në Islandë, nuk mund ta garantonin tribunën VIP, duke lejuar të thyhet çdo kod tradite (sepse u lejua që të goditet miku në shtëpi), mirësjelljeje, etike, por edhe detyre. Madje, në këtë rast u shënua regres krahasuar me një ngjarje “limonadë” të disa sezoneve më parë, ku sharjeve të kor ndaj gjyqtarit (të zakonshme në Vlorë) policia guxoi t’i përgjigjej me një deklaratë për shtyp, ku pas bërjes së biografisë u gjet se i dhunuari nuk kishte motër, ndërsa edhe sot që kanë kaluar disa ditë, nuk ka një qëndrim zyrtar për ngjarjen apo ndonjë person të ndaluar, pavarësisht se dëshmitarët ishin të shumtë, pjesa më e madhe e tyre policë, të cilët deri më tani kanë qëndruar pasivë, gojëkyçur dhe të heshtur, ashtu si edhe yjet e largët në qiell.

No comments:
Post a Comment