Mitrovicë, 26 shtator - Ndeshja ndërmjet Trepçës dhe Prishtinës ka mundur të ndërpritej përfundimisht, meqë u sulmua trajneri Afrim Tovërlani, i cili u përgjak pasi u godit me një kanaçe në kokë nga tribuna ku ishin të vendosur tifozët nikoqirë.
Kur sulmohet një person zyrtar në futbollin evropian, atje ku mëton të shkojë edhe futbolli ynë, as që diskutohet ndërprerja e ndeshjes, transmeton KTV.
Madje, aq të ashpra janë ndëshkimet sa që klubet mezi e marrin veten, ndërsa në rastin e Mitrovicës, jo që ndeshja nuk u ndërpre, ajo vazhdoi duke mos u respektuar as minimumi i rregullores - zbrazja e tribunave.
Rregullorja e UEFA-s thotë shkurt:
“Kur goditet një person zyrtar, që në këtë rast pa dyshim se është edhe trajneri, referi kryesor mund ta ndërpresë ndeshjen. Mund edhe të mos e bëjë këtë, por obligativisht duhet ta zbrazë tribunën, qoftë edhe të urdhërojë largimin e krejt tifozëve nga stadiumi”. Gjyqtari i ndeshjes, Kreshnik Vula, nuk e bëri këtë, me çka edhe nuk e respektoi rregulloren, me të cilën punojnë referët tanë, dhe tani u mbetet komisioneve disiplinore të FFK-së të veprojnë përkitazi me rregullat në fuqi.
Pa marrë parasysh vendimin e FFK-së, një është e qartë, futbolli i Kosovës vështirë të shërohet nga këto skena, e aq më shumë kur po kërkohet ndërkombëtarizimi i sportit më të popullarizuar në vendin tonë.

No comments:
Post a Comment