Saturday, September 21, 2013

Ekipet po e pësojnë nga tifozëritë e tyre

Pas dënimeve që mori Komisioni i Disiplinës, Flamurtari dhe Kukësi këtë javë janë të detyruar të luajnë jo në fushat e tyre, por gjetkë. Kukësi ka zgjedhur "Loro Boriçin", ndërsa vlonjatët me shumë mundësi "Loni Papuçiun" të Fierit. Dy klubet e dënuara janë të detyruara për 4 javë që të luajnë në shtëpi, duke gjetur një "strehë" jashtë qyteteve të tyre. Besa është paralajmëruar, Laçi gjithashtu dhe nuk është çudi që së shpejti një nga këta klube ta pësojë ashtu si dy të lartpërmendurat. Disiplina, duke dashur të luajë rolin e ndëshkuesit të hekurt, pa dashje krijon një amulli sa u përket stadiumeve, kur dihet që në vendin tonë fushat cilësore janë me "pikatore". 
REAGIMI I KLUBEVE 
Ende pa marrë vendimin Disiplina për goditjen e presidentit të Skënderbeut në stadiumin e Vlorës, numri një i klubit të Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ishte i pari që deklaronte hapur që duhej dënuar dhe që pranonte çdo lloj mase ndaj klubit apo ekipit të tij, por ai ngriti dy çështje. "Nuk është normale që për një palaço individ të ndërpritet ndeshja dhe ta pësojë i gjithë klubi. Ndërkohë, faji kryesor është i policisë që vjen dhe ha fara në tribunë dhe jo të merret me këta persona", - pohoi Gjika. Ndërsa presidenti i Kukësit, Safet Gjici, e shtjellon disi ndryshe: "Tifozët shqiptarë janë të tillë që nuk e pranojnë dot dështimin, por futbolli pa ta nuk ka kuptim. A duhen dënuar për gjestet? Natyrisht që po. Klubi i Kukësit e ka pësuar jo pak herë. Nga UEFA morëm një lumë gjobash dhe tani nga Disiplina. Vetëm një gjë më bën përshtypje, pasi unë kam folur edhe me tifozët. Janë një grusht personash që i shkaktojnë trazirat. Atëherë pse u dashka ta pësojnë të tjerët, ne, ekipi dhe tifozët e ndershëm? UEFA nuk na degdisi të luajmë jashtë vendit për gjestet e tifozëve, ndërsa FSHF po. Mirë gjobat, po pse duhet të luajnë jashtë Kukësit? Po marr një shembull. Do luajmë jashtë në ndeshjen e radhës dhe sërish tifozët do jenë aty, gjë që mund të përsërisin atë që bënë në ndeshjen e fundit. Pra, nuk është zgjidhje ai dënim. Të dënohen tifozët dhe jo ekipi. Pra, le të luhej në Kukës, por pa praninë e tifozëve". 
RREGULLORJA 
Shumë pika në rregulloren e veprimtarisë futbollistike në Shqipërisë interpretohen sipas dëshirës dhe ka raste me dy standarde. Ndërsa ka ngjarje që nuk janë të parashikuara në rregullore dhe Disiplina mundohet që gjejë klauzola, që më pas hapin debat të madh. Po marrim një shembull. Rregullorja nuk e përcakton se çfarë masash duhen marrë ndaj klubit apo ekipit nëse ai braktis fushën e lojës dhe rihyn sërish dhe vazhdon ndeshjen. Dhe kjo ka ndodhur disa herë. Rregullorja nuk e përcakton qartë kur quhet rast përsëritës, në një vit, një sezon apo në një fazë të një ngjarjeve të caktuara. Gjithashtu, një pikë tjetër tani që ka hapur debat është Policia e Shtetit, që shpeshherë bëhet palë apo është inekzistente. A mos ndoshta ka ardhur koha që në stadiume të mos ketë policë të shtetit, por forca të sigurisë private?

No comments:

Post a Comment